
Një sasi lënde plasëse tritol i vendoset Noizyt tek lokali në Durrës.
Policia e qytetit të Durrësit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me eksplozivin e vendosur ditën e sotme në një nga bizneset e reperit, Noizy.
Sipas informacioneve paraprake mësohet se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm.
Fillimisht për mediat u raportua se sasia e lëndës shpërthyese ishte vendosur në lokalin e reperit në Durrës, mirëpo sipas policisë mësohet se eksplozivi ka shpërthyar në ambientet e një butiku rrobash i cili është marrë me qira nga babai i reperit, Bashkim Rajku.
Nga të dhënat e para, raportohet se nga shpërthimi janë dëmtuar xhamat në të dy katet e ndërtesës.
Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka të lënduar, vetëm dëme materiale.
Njoftimi i plotë:
Durrës/Informacion paraprak
Më datë 08.06.2022, rreth orës 04:24, në lagjen Nr.13, në një ambient (butik rrobash) të marrë me qira nga shtetasi B.R., ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive.
Si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit/ve.
Kujtojmë se ky shpërthim vjen dy ditë pas sherrit të reperit Noizy me reperin tjetër Kleviol Ahmeti, i njohur si “Cllevio Serbiano”.
Një video e publikuar në media tregonte se si Noizy kishte dhunuar Cllevion i cili ditën e djeshme bëri me dije se si pasojë e dhunës së ushtruar nga reperi kishte pësuar mpiksje gjaku në kokë.
Thuhet se sherri ka filluar pasi ky i fundit ka folur kundër reperit në rrjete sociale. Pas lirimit nga burgu, Klevio ka ofenduar sërish anëtarët e OTR.