Përdoret për të luftuar krimin, një “Lambo” policie në mes të Tiranës

    86

    Forca të ndryshme nga Policia, forca të karabienierëve, Guardia di Finanza, forcat speciale Nocs, një numër ushtarësh nga Roja Bregdetare, një njësi qensh kundër drogës, forca anti eksploziv janë ‘transferuar’ sot në kryeqytetin e vendit, Tiranë, për të ekspozuar ‘arsenalin’ më modern të forcave të sigurisë së vendit fqinj. Policia Rrugore italiane prezantoi për publikun shqiptar Lamborghini Gallardo, Arma dei Carabinieri grupin e Biodiversitetit, Guardia di Finanza një ekspozitë të Njësisë Qendrore të Sigurisë Operacionale të Policisë së Shtetit (Nocs) dhe fluturimin e helikopterit të Guardia di Finanza.

    E tillë është edhe një mjet “Lamborghini”, i cili në pamje të parë duket thjesht një makinë policie që përdoret për të ndjekur kriminelët, por është shumë më kaq. Gazetari i Report Tv Sokol Dema ka mësuar se kjo makinë e poseduar nga policia italiane ka shpëtuar shumë jetë. Një detyrë themelore e saj është kujdesi shëndetësor. Për këtë qëllim, bagazhi i përparmë i makinës strehon një pajisje speciale frigoriferike për transportin urgjent të organeve për transplantim. Për shpëtimin emergjent të njerëzve, pajisja përfshin gjithashtu një defibrilator, i cili është në gjendje të shpëtojë jetë duke rivendosur rrahjet normale të zemrës përmes goditjeve elektrike të synuara në rast të aritmisë së fortë kardiake ose fibrilacionit ventrikular. 

    Në Itali, këto makina janë dhuratë nga vetë kompania “Lamborghini” dhe përdoren në 2 qytete, Romë dhe Bolonja teksa në Tiranë janë prezantuar për shqiptarët, si një nga aktivitetet e ndërmarra nga ambasada italiane në Shqipëri. Ndërkohë, në shesh ka pasur edhe demostrime të tjera të forcave RENEA me homologët e tyre italiane NOCS, një ulje taktike nga Muzeu Historik kombëtar ku në murin e saj u shpalos flamuri kombëtar i dy vendeve, si një shenjë miqësie. NOCS, që kishte sjellë në Tiranë disa efektivë, është një departament i posaçëm që kryen operacione anti-terroriste, aktivitete mbështetëse edhe për zyrat e antikrimit dhe kryen detyrat e mbrojtjes së personazheve, shpesh të huaj, të ekspozuar jashtëzakonisht përsa i përket sigurisë.

    Në shesh ka pasur edhe një robot, që është në dispozicion të policisë shqiptare. Robot special antieksploziv, i cili përveç aftësisë së bërjes së çaktivizimit të bombave dhe hapjen e pakove të dyshimta si bomba, bën edhe bllokimin e valëve deri në 1 kilometër, me qëllim parandalimin e aktivizimit të bombës me celular apo telekomandë nga distancë në momentin kur po bëhet çaktivizimi.  Komandohet në distancë dhe është i aftë të kalojë disa lloj pengesash, tepër i manovrueshëm.

    Nga sheshi ‘Skënderbej’ nisi sot edhe fushata udhëtuese “Una vita da Social” me Kamionin e Policisë Postare që gjatë gjithë javës do të takohet me studentët shqiptarë në Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe Durrës për çështjet e përdorimit të ndërgjegjshëm të internetit dhe rrjet social. Në kamion ka edhe një përfaqësi të Oscad (Observatori për sigurinë kundër akteve diskriminuese), një organ i përbashkët, i cili do t’u flasë studentëve dhe publikut të vizitorëve për aktivitetet e kryera kundër të gjitha formave të diskriminimit (fetar, racor, gjinore, lidhur me orientimin seksual dhe kundër personave me aftësi të kufizuara) për parandalimin dhe luftën kundër krimeve të urrejtjes.

    Aktiviteti i bërë në fund të Javës Italiane të Kulturës në Tiranë, u zhvillua në nder të 25-vjetorit të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme italiane dhe asaj shqiptare lidhur me këshillimin dhe ndihmën për riorganizimin e forcave të policisë shqiptare, nënshkruar më 17 shtator 1997.  Të pranishëm ishin edhe ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese, e shoqëruar nga shefi i policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, Lamberto Giannini, nga Komandanti i Përgjithshëm i Karabinierëve Teo Luzi dhe nga Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza, Giuseppe Zafarana.  

    Ky ‘spektakël’ i forcave nga matanë Adriatikut është parë me interes shumë të madh nga qytetarët e Tiranës, të cilat panë me kuriozitet risitë e ‘arsenalit’ italian të sigurisë.  Më herët ministria italiane, Lamorgese, e shoqëruar edhe nga ambasadori Fabrizio Bucci, u prit nga homologu i saj shqiptar Bledi Çuçi dhe gjithashtu nga kryeministri Edi Rama.

    Previous articleReagon Noizy. Cllevio mpiksje gjaku në kokë, Rreperi publikon VIDEO duke qarë.
    Next articleSKANDALI/ Ushtarët filmohen gjatë orgjisë me prostituta brenda bazës, videot bëhen virale