Qytetet më të shtrenjta në botë për vitin 2022

    66

    Kompania globale ECA International ka publikuar listën e saj vjetore të qyteteve më të shtrenjta në botë për të jetuar dhe, përsëri, Hong Kongu është në krye të listës.

    Kompania e përgatit këtë listë bazuar te disa faktorë, duke përfshirë çmimin mesatar të ushqimeve për konsumatorët familjarë si qumështi dhe vaji i gatimit, të qirasë, të faturave të energjisë, të transportit publik dhe të fuqisë së monedhës vendase.

    Ky është viti i tretë radhazi që Hong Kongu mban vendin e parë, duke u listuar si qyteti më i shtrenjtë në botë në indeksin ECA. Ky indeks fokusohet veçanërisht te punonjësit e huaj për të bërë renditjen.

    Azia kryeson listën

    Azia mund të konsiderohet kontinenti më i shtrenjtë, pasi pesë qytete të saj – Hong Kong, Tokio, Shangai, Guangzhou dhe Seul – janë pjesë e listës së 10 qyteteve më të shtrenjta në botë.

    Disa organizata e përfshijnë edhe Lindjen e Mesme në Azi. Në këtë rast, edhe Tel Avivi, i cili është renditur në vendin e gjashtë, do të llogaritej si qytet i Azisë, duke e bërë këtë kontinent që të zërë gjashtë vende në listën e 10 qyteteve më të shtrenjta.

    Në Azi ndodhet gjithashtu edhe qyteti me rritjen më të shpejtë në listën e përgjithshme. Ky qytet është Colombo, metropoli kryesor i Sri Lankës, i cili u ngjit në renditje me 23 vende, nga vendi i 162-të në venin e 149-të.

    Lee Quane, drejtori rajonal i ECA për Azinë, shpjegoi arsyet për rritjen e pranisë së Kinës kontinentale në këtë indeks.

    “Shumica e qyteteve kontinentale të Kinës në renditjen tonë kanë norma më të larta inflacioni nga sa jemi mësuar që të shohim, por megjithatë ato mbeten më të ulëta se në vendet e tjera të Azisë,” tha Quane në një deklaratë. “Prandaj, arsyeja kryesore për rritjen e tyre në këtë renditje ka qenë fuqizimi i vazhdueshëm i juanit kinez kundrejt monedhave të tjera kryesore.”

    Qytetet që kanë rënë në renditje

    Pra, cilat qytete janë renditur më poshtë krahasuar me vitet e mëparshme?

    Parisi, i cili ka kryesuar listën e ECA në të kaluarën, nuk është më pjesë e 30 vendeve të para. Madridi, Roma dhe Brukseli pësuan gjithashtu rënie në renditje.

    “Pothuajse çdo qytet i madh i Eurozonës pati një rënie në renditje këtë vit, pasi euro performoi më keq në 12 muajt e fundit krahasuar me dollarin amerikan dhe paundin britanik,” shpjegon Quane.

    Faktorët e jashtëm, si politika dhe konfliktet ndërkombëtare, mund të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në këtë renditje. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe sanksionet që erdhën si pasojë e luftës, të vendosura nga shumë vende, shpjegojnë arsyen pse Moska u rendit në vendin e 62-të dhe Shën Petersburgu ra në vendin e 147-të.

    Qyteti më i shtrenjtë në Europë është Gjeneva e Zvicrës, e cila u rendit në vendin e tretë pas Hong Kongut dhe Nju Jorkut. Zvicra përdor frangën zvicerane në vend të euros.

    Pandemia e koronavirusit padyshim që ka luajtur një rol të rëndësishëm në zinxhirët e furnizimit global dhe në faktorë të tjerë ekonomikë.

    Renditjet e tjera

    ECA International nuk është e vetmja kompani që rendit qytetet e botës bazuar te të dhënat ekonomike.

    Njësia e Inteligjencës Ekonomike (EIU) me qendër në Londër publikon indeksin e saj të Kostove Botërore të Jetesës çdo dhjetor. Në vitin 2021, Tel Avivi zuri vendin e parë si qyteti më i kushtueshëm për të jetuar, i ndjekur nga Parisi dhe Singapori që u renditën në vendin e dytë.

    Hong Kongu ishte në vendin e pestë, pas Zyrihut.

    Të dyja këto indekse përdorin çmimet e artikujve të përditshëm, si produktet ushqimore dhe karburantin, për të përcaktuar renditjen e qyteteve. Megjithatë, EIU i lidh shifrat e saj me dollarin amerikan, kështu që ekonomitë që bëjnë të njëjtën gjë – si për shembull, Hong Kongu – kanë më shumë gjasa që të renditen më lart.

    Sido që të jetë, pavarësisht renditjes së qyteteve në indekse të ndryshme, është e qartë se qytetet aziatike, europiane dhe ato të Amerikës së Veriut janë shumë më të shtrenjta për të jetuar sesa qytetet e Afrikës dhe të Amerikës së Jugut.

    Qytetet më të shtrenjta në botë

    1. Hong Kongu
    2. Nju Jorku
    3. Gjeneva
    4. Londra
    5. Tokio
    6. Tel Avivi
    7. Zyrihu
    8. Shangai
    9. Guangzhou
    10. Seuli. 
    Previous articleBE ndërton 123 km autostradë për 1.2 mld euro/ Shqipëria shpenzon 1.3 mld euro për 20 km
    Next articleSonila dhe Giuseppe, prodhuesit e thesareve aromatike/Çifti ngre “perandorinë” e trëndafilave në Krutje