
Prej disa ditësh po përflitet për një ndarje të mundshme të çiftit të famshëm, Shakira dhe Gerard Pique. Madje, disa informacione që janë publikuar së fundmi kanë shtuar dyshimet.
Sipas gazetarit të “El Periodico”, Emilio Perez de Rozas, mbrojtësi i Barcelonës dhe këngëtarja e famshme dyshohet se kanë disa javë që jetojnë veçmas.
Gazetari ka shtuar se ylli i pop-it me famë botërore e kapi futbollistin e njohur duke e tradhtuar me një grua tjetër. Kjo ka ndodhur disa javë më e parë dhe ishte arsyeja që ka çuar çiftin drejt ndarjes së supozuar.

Gjithashtu thuhet se Pique është larguar nga shtëpia që ndan me Shakirën dhe dy fëmiët e tyre. Mbrojtësi i Barcelonës ka disa javë që jeton në dhomën e tij të beqarisë. Madje thuhet se ai frekuenton rregullisht klubet e natës si Bling Bling dhe Patron në Barcelonë.
“Gjithçka duket se tregon se marrëdhënia sentimentale, në çift, mes Shakirës dhe Pique po kalon një nga momentet e saj më të këqija që kur u takuan në vitin 2010. Ka nga ata që kanë parë prej disa javësh kapitenin e Barçës duke jetuar sërish, duke kaluar net e ditë, në banesën e tij të vjetër në rrugën Muntaner, ngjitur me Plaza Adrià”, shkruan Perez.

Gjithashtu, gazetari ka vëzhguar profilin e Shakirës në rrjete sociale. Ai thekson se këngëtarja nuk ka publikuar foto prej muajsh me Pique. Më tej, ai shkruan se postimi i fundit i dyshes ka qenë që më 21 mars.
Lidhur me gjithë këto aludime, deri më tani nuk ka asnjë reagim nga dyshja e njohur.
