
Ajo u rikthye në rrënjët e saj, në vendlindje. Ndërsa ai e ndoqi, duke lënë pas Italinë, Kinën, Indinë, e sa e sa shtete të tjera, për t’u vendosur në Krutje të Lushnjës. Sonila dhe italiani Giuseppe kanë një jetë së bashku. Dikur Sonila ishte mësuesja e tij e anglishtes, e më vonë të dy mësuan shumëçka për botën e trëndafilave.
Krutja për ata ishte vendi ideal, ku pavarësisht moshës, mund të hidhnin rrënjë të reja së bashku me 400 llojet e ndryshme të trëndafilave. Sot, Sonila dhe Giuseppe nxjerrin thesare të vogla aromatike nga lulet e tyre si vajra esenciale dhe parfume.
“Pasioni për trëndafilat ka filluar para 10-11 vitesh në Toskanë, në një tokë të vogël me 30 lloje trëndafilash. Jeta në Itali u bë frenetike dhe arritëm në një pikë ose të shtonim tokat, ose vend tjetër. Tokat këtu në Krutje ishin bosh dhe u rikthyem.’’, thotë Sonila.
Sonila vërtetë ka qenë mësuesja e tij, por ajo është plot 28 vite më e vogël se ai. E megjithatë, kur ka njohur ndonjëherë dashuria rregulla?! Përpunimi i trëndafilave është një proces që do t’i rrish mbi kokë, ndaj Giuseppe vrapon të kontrollojë që gjithçka po shkon mirë në pajisjen e distilimit.
Shtëpia ku Sonila dhe Giuseppe jetojnë, bie menjëherë në sy në fshatin e vogël të Krutjes. Stili i veçantë i jetesës harmonizohet edhe me arkitekturën e banesës ku jetojnë. Nga përpunimi i petaleve të trëndafilit ata nxjerrin disa produkte, ku spikat parfumi i veçantë i trëndafilit.
Sonila dhe Giuseppe momentalisht kanë mbi 400 lloje trëndafilash, njëri më i bukur se tjetri dhe mbi të gjitha njëri me i veçantë se tjetri. Atyre ju është dashur të udhëtojnë nëpër shumë vende të botës për t’i gjetur dhe sjellë në Krutje.
“Do ju tregoj një lloj trëndafili shumë të veçantë. Ky është numri 207, për t’a gjetur kemi shkuar deri në Padova. Mezi e gjetëm. Ndërsa për të gjetur llojet e tjera na është dashur të udhëtojmë botën.’’, thotë Sonila.
Sonila dhe Giuseppe kanë një filozofi. Mos i shikoni me trishtim petalet e trëndafilave që bien, si në jetë, disa gjëra duhet të zbehen përpara se të rilindin…qoftë edhe neë formë vaji esencial, parfumi, vendimi apo kujtimi…